Trump “përmbys” sërish Obamën




Presidenti Donald Trump ka rikthyer skemën për armatimin e policisë amerikane, duke përmbysur sërish një politikë të administratës Obama. Me urdhrin e ri ekzekutiv, Trump lejon armatimin ushtarak të policisë, me qëllim rritjen e sigurisë publike. Por vendimi i ri i presidentit është pritur me kritika nga vetë republikanët dhe grupet e të drejtave.

Presidenti amerikan Donald Trump ka hequr kufizimet e vendosura nga paraardhësi i tij Barack Obama për transferimin e pajisjeve ushtarake shtesë tek policia. Një urdhër ekzekutiv i presidentit i siguron tashmë policisë mjete si helmetat anti-plumb dhe automjetet e blinduara. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, qëllimi i këtij urdhri është rritja e sigurisë publike.

Pas trazirave në Ferguson, Mizuri, në gusht të vitit 2014, Obama ndaloi ushtrinë që t’i dorëzonte policisë disa lloje të pajisjeve ushtarake. Ndalimi i tij vinte pas kritikave se policia ishte tepër e armatosur gjatë momentit kur u përball me protestuesit në Ferguson, ku një adoleshent afro-amerikan i paarmatosur u vra nga një oficer policie. Ish-presidenti shprehu shqetësim për reagimin e publikut ndaj imazheve të policisë së armatosur në rrugë. Ai argumentonte se policia duhej të perceptohej si një pjesë e komunitetit dhe jo si forcë pushtuese.

Por sipas Prokurorit të Përgjithshëm Sessions, ky ndalim është i tepruar. Administrata aktuale, tha Sessions, nuk do të vendosë shqetësime sipërfaqësore mbi sigurinë e publikut, duke shtuar se në këtë mënyrë dërgohej një mesazh i fortë se shteti amerikan nuk do të lejojë që aktivitetet kriminale, dhuna dhe paligjshëmria të kthehet në normë. Sidoqoftë, urdhëri i ri i presidentit Trump është pritur me kritika nga disa grupe të të drejtave civile dhe nga disa republikanë në Kongres.




Be the first to comment

Leave a Reply