Veseli: Miqësia midis Kosovës dhe SHBA-së do të jetë e përjetshme




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në takimin me delegacionin amerikan nga Iowa, i cili po mbahet në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, ka thënë se Kosova ka nevojë gjithmonë për përvojën dhe dashurinë amerikane dhe se miqësia midis Kosovës dhe SHBA-së do të jetë e përjetshme.

Në fjalën e tij para mbi 50 mysafirëve amerikanë, Veseli ka bërë një rezyme të dhjetë vjetëve të funksionimit të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Në këtë sallë, para 10 vjetësh, Kosova, shtëpia juaj e dytë, shpalli pavarësinë. Historia që e sjellë 17 Shkurtin e vitit 2008 është plot dhimbje e lavdi. Janë më shumë se 100 vjet përpjekje e brezave, për liri dhe pavarësi. Një ideal që nuk u shua nga asgjë. Por, kjo epokë i takon së kaluarës, asaj që mbetet kujtim dhe frymëzim për ne. Shteti i Kosovës tash është realitet”, theksoi Veseli.

Ai shtoi se Kosova këtë vit ka mbushur një dekadë pavarësi dhe dy dekada liri, periudhë kjo gjatë të cilës shteti ynë ka bërë hapa gjigantë në konsolidimin e vet: ka ndërtuar institucione të qëndrueshme, ka ndërtuar nga e para këtë tokë, me rrugë nga më modernet në rajon, me qindra shkolla të reja, me një polici shembull, me një forcë ushtarake shumë profesionale, janë hapur fabrika dhe po ndërton gradualisht një shtet ligjor, ku secili qytetar është i barabartë.

Krejt këto dhe shumë të tjera, shtoi Veseli, nuk janë vetëm meritë e vendorëve, por janë kontribut i gjithë miqve ndërkombëtarë.

“Është kontribut i veçantë edhe i secilit prej jush që na keni ndihmuar për një arsim më cilësor, një ushtri më profesionale, për avancim të bujqësisë e kulturës. Kosova ka nevojë gjithmonë për përvojën dhe dashurinë tuaj. Ne jemi shtete mike tash e 10 vjet, prej se kur Kosova është shtet, dhe do të jemi për jetë e mot. Për ta ndihmuar njëri-tjetrin, për ta forcuar çdo vit e më shumë lidhjet tona. Zoti e bekoftë Amerikën, Iowen dhe Kosovën”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Delegacioni amerikan kryesohet nga Zach Nunn, Përfaqësues në Komitet për Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nga Iowa State Capital dhe Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas.

Në takim po marrin pjesë anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.




Be the first to comment

Leave a Reply