Vettingu, Hodaj: Policët kanë edhe 18 ditë kohë për formularët




Zv-ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj deklaroi se punonjësit e policisë që po plotësojnë formularët e vettingut, kanë kohë edhe 18 ditë, pasi nuk do të ketë shtyrje afati. Nisur nga problematikat që kanë paraqitur vetë efektivët e policisë, Hodaj tha se janë krijuar struktura ndihmuese për ta.

Edhe 18 ditë kohë kanë 13 mijë efektivët e Policisë së Shtetit, për të plotësuar formularët e vettingut. Askush prej tyre nuk është i detyruar të sjellë dokumente shtesë, përveç atij të identifikimit dhe vërtetimit të pagës.

Kështu u shpreh zv/ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Hodaj sqaroi se janë krijuar struktura ndihmuese pranë çdo komisariati, ndërsa shtoi se në vetting mund të kalojnë edhe punonjësit e policisë që janë në dispozicion.

I pyetur nga Ora News se sa është numri i policëve që kishin dorëzuar tashmë formularët, Hodaj nuk e kishte një shifër të saktë. Zv/ministri dha detaje për anëtarët që do të jenë në komisionet e vlerësimit.

Prej 5 prillit, kur nisën edhe plotësimet e para të formularëve për pasurinë, moralin dhe karrierën, me qindra efektivë policie kanë shfaqur pakënaqësi dhe paqartësi për procedurën e vettingut mes radhëve të tyre.




Be the first to comment

Leave a Reply